Hapet thirrja për aplikim në Akademinë Junior Shapers Academy
Organizata jo-qeveritare Global Shapers Prishtina, ka hapur thirrjen për aplikim në Akademinë Junior Shapers Academy, dhe fton të gjithë rininë e moshës nga 15 deri 18 vjeç të aplikojnë që të bëhen pjesë e Akademisë.
Global Shapers Prishtina është degë e Komunitetit Global të Rinisë që quhet Global Shapers Community (www.globalshapers.org). Ky komunitet ka deget e veta në 431 qytete të botës, në 148 shtete dhe ka rreth 10,000 antarë aktiv. Ky komunitet është themeluar nga Forumi Botëror i Ekonomisë — World Economic Forum — organizata me ndikim më të madh në botë në fusha të ndryshme socio-ekonomike.
Pse e kemi krijuar këtë akademi?
Ne si organizatë besojmë fuqishëm se rinia e Kosovës ka talent, potencial, energji të mirë dhe shumë vullnet për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Prandaj, punojmë që ta fuqizojmë rininë Kosovare duke i dhënë hapësirë të shpreh tërë këtë potencial, por më e rëndësishmja që ta realizojë ëndrrën dhe të plotësojë synimet në karrieren e vet.
Përgjatë këtyre viteve e kemi vënë re se mënyra më e suksesshme për të fuqizuar rininë është puna e vazhdueshme dhe jo siç ndodh zakonisht ku organizohet një trajnim dhe gjithçka mbaron aty.
Kështu kemi dizajnuar një program 1 vjeçar, nëpërmjet të cilit synojmë që të:
1. Krijojmë qytetarë aktiv, të përgjegjshëm dhe liderë të së ardhmes.
2. Të paisim rininë me aftësitë e shekullit 21 që janë të nevojshme në cilindo profesion. Disa prej këtyre aftësive janë: komunikimi, puna në ekip, aftësitë e buta(CV, letër motivimi, ese), hulumtimi, të folurit në publik etj.
3. Ti ofrojmë hapësirën e nevojshme për të eksperimentuar me veten në mënyrë që të identifikojnë sakt orientimin në karrierë dhe pastaj nëpërmjet mentorimit/këshillimit t’i ndihmojmë në realizimin e ëndrrave tuaja dhe arritjen e synimeve në karrierën e tyre.
Çfarë përmban kjo Akademi?
Junior Shapers Academy është program i cili përdorë teknika të ndryshme që japin si rezultat aftësitë e lartcekura. Përgjatë 1 viti, ju do të jeni pjesë e aktiviteteve të shumta edukative dhe rekreative, të cilat do t’iu ndihmojnë në përfitimin e aftësive të cekura më lart por edhe do të krijoni shoqëri të re.
Aktivitetet përmbajnë punëtori, trajnime, konferenca e seminare të ndryshme, ligjërata inspiruese, takime me liderë të ndryshëm etj. Poashtu, do të organizojmë netë filmash, kamping, karaoke e lojëra të ndryshme.
Paralelisht me këto, ju do të keni mundësinë që nëpërmjet punës vullnetare të kontribuoni në komunitet, dhe zëri juaj të përfshihet në vendimmarrje e zgjidhjen e problemeve të ndryshme sociale.
Cili është orari i aktiviteteve dhe a kërkohet angazhim me orar të plotë?
Synimi ynë është që të të fuqizojmë ty, këtë e bëjmë duke qenë ti pjesë e vendimmarrjes edhe brenda organizatës tonë.
Kështu, orari caktohet varësisht si i përshtatet shumicës së personave të përzgjedhur të jenë pjesë e akademisë. Para aktivitetit, ne do të konsultohemi me ju për gjithcka. Ju nuk do të angazhoheni me orar të plotë.
Çfarë ofrojmë ne?
Përveç mundësive që i kemi cekur më lartë , ne do të ofrojmë edhe hapësirë për të shprehur ide dhe për të qenë pjesë e projekteve të organizatës. Poashtu, ne ofrojmë edhe këto:
- Shoqëri të re — në organizatën tonë e kemi shumë të rëndësishme anën njerëzore dhe i japim rëndësi shëndetit mendor. Prandaj, ne e kemi krijuar “Planin e miqësisë” — një plan, që përmban aktivitete të ndryshme rekreative që organizohen së bashku mes antarëve. Udhëtime në ndonjë qytet, mbrëmje filmi, karaoke, takime mbas punës etj janë vetëm disa prej aktiviteteve që ndihmojnë në njoftimin mes njëri-tjetrit dhe krijimin e shoqërive të reja.
- Regjistrimi i orës dhe njohja e punës vullnetare — Për cdo aktivitet ne regjistrojmë orët vullnetare në platformën shtetërore të punës vullnetare kosovovolunteers.org.
- Pas përfundimit të angazhimit, ju merni certifikatë të lëshuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit për orët tuaja vullnetare, dhe letër rekomandimi për angazhimin tuaj nga organizata jonë.
- Hapësirë pune — falë përkrahjes së partnerit tonë Meridian Express, ne kemi zyre pune të cilat janë të hapura për antarët tanë, për realizim të aktiviteteve në lidhje me organizatën, ose për shoqërim mes pjesëmarrësve të akademisë. Një hapësirë rinore, që ofrohet eksluzivisht për ju.
- Në fund të akademisë, ju do të paiseni me certifikatë të përfundimit me sukses të akademisë. Përvec kësaj, ne synojmë që nëpërmjet ndihmës tonë dhe bashkëpunimeve tona me organizata tjera, ju do të mund të merni edhe certifikata tjera nga aktivitete në të cilat ne iu mundësojmë pjesëmarrjen.
Kush mund të aplikoj?
Kur kemi thënë më lart se ne besojmë në potencialin dhe talentin e rinisë kosovare, ne e kemi pasur parasysh se ka llojllojshmëri. Ne jemi përgatitur fort, e jemi gati që cfarëdo potenciali e talenti t’i ofrojmë hapësirë për tu shprehur. Kjo akademi është dizajnuar ashtu që të jetë e hapur për të gjithë — qoftë sport, art, menaxhment apo cfarëdo talenti ose pasioni që ke. Edhe nëse nuk ke, nuk është aspak problem. Jemi këtu që ta zbulojmë talentin e pasionin tënd së bashku. Thjesht, krejt cfarë duhet është guximi yt që të aplikosh, që ti ta bësh hapin e parë.
Ky projekt është i hapur për të gjithë të interesuarit e moshës 15–18 vjeç, dhe parimisht të jenë me banim në Prishtinë. Të rinjët/rejat nga komunat tjera mund të aplikojnë, mirëpo organizata nuk i mbulon shpenzimet e transportit.
Si të aplikoj?
Apliko duke plotësuar këtë formë: https://forms.gle/jFYXkUi39xB4LYNz6
Afati fundit për aplikim është data: 23 Prill 2021, ora 23:59 CET.
Për çfarëdo pyetje që ke, ndjehu i/e lirë të na kontaktosh në rrjetet tona sociale: www.facebook.com/prishtinashapers ose në www.instagram.com/prishtinashapers